Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar sot përmes një videomesazhi të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen për Fitër Bajramin.
Në urimin e tij, Spahiu tha se përmes agjërimit dhe lutjeve u forcua solidariteti me njëri-tjetrin
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, faljeje e solidariteti. Ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira, ne forcuam besimin tonë dhe ndenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin”, theksoi Spahiu.
Kreu i KMSH-së u shpreh se “Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të mëdha njerëzore, mëshirën, dashurinë dhe faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi për çdo familje shqiptare”.
Spahiu e mbyll mesazhin e tij me një urim për të gjithë besimtarët myslimanë duke uruar në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Fitër Bajramin.
“Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjen tuaj, ju dhëntë paqe dhe begati në familjen tuaj”, u shpreh ai.
Pas një muaji agjërimi dhe lutjesh, besimtarët myslimanë do të festojnë më 20 mars Fitër Bajramin. Namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin “Skënderbej”, më 20 mars ora 06:30.
