Screenshot 2026 03 18 111220 696x439

Komisioni i Ligjeve miratoi sot një ndryshim në marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, lidhur me përcaktimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ.

I ftuar në këtë komision, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu sqaroi se ndryshimi lejon që mallrat dhe partnerët tregtarë të përfitojnë nga tregtia e lirë pa tarifa doganore të importit.

Musabelliu theksoi rëndësinë e ndryshimit të rregullave preferenciale për sa i përket marrëveshjes së tregtisë së lirë me Turqinë duke pasur parasysh që dy vendet janë palë e Konventës rajonale mbi rregullat preferenciale dhe kanë marrëveshje dypalëshe të tregtisë së lirë.

“Kjo marrëveshje është ndryshuar duke përfshirë rregullat e origjinës preferenciale të Konventës të vitit 2012, ku është ndryshuar protokolli II i marrëveshjes së tregtisë së lirë Shqipëri-Turqi. Sistemi përbëhet nga një rrjet marrëveshjesh të tregtisë së lirë dhe parashikon një kuadër shumëpalësh të rregullave identike të origjinës së mallrave që tregtohen, që lejon kumulimin diagonal të origjinës, i cili zbatohet në marrëveshjet përkatëse të tregtisë së lirë që palët kanë me njëra-tjetrën”, tha Musabelliu.

Musabelliu sqaroi se rregullat për përcaktimin e origjinës preferenciale janë të rëndësishme pasi ato lejojnë që mallrat dhe partnerët tregtarë të përfitojnë nga tregtia e lirë pa tarifa doganore të importit.

“Prandaj si palë e Konventës, Shqipëria ka ndryshuar marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në dhe aktualisht ka mbetur pa u ndryshuar vetëm marrëveshja e tregtisë së lirë Shqipëri-Turqi”, shtoi ai.

Musabelliu theksoi se ndryshimi i kësaj marrëveshje nuk ka efekte financiare në buxhetin e shtetit dhe projektligji është hartuar në mbështetje të Kushtetutës.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights