Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, deklaroi sot në Kuvend se projektrezoluta për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste është një nismë që synon të shërbejë për qëllime politike të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, Kapri e cilësoi dokumentin si një rezolutë “servile”, duke shtuar se ajo do të kishte më shumë kuptim nëse, sipas tij, qeveria do të vepronte në përputhje me standardet e vendeve perëndimore.
“Kjo rezolutë do të merrte shumë më tepër kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore dhe do të sillej si e tillë. Rezoluta të tilla mund të kenë vlerë për t’i treguar botës se Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por në fakt janë sjellë për të shpëtuar fatin politik të kryeministrit Rama”, u shpreh Kapri.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë objekt i një sulmi kibernetik nga Irani dhe se institucionet nuk kanë reaguar.
“Është qesharake kur mendojmë se bëjmë një rezolutë kundër Iranit, ndërkohë që Irani ka sulmuar Parlamentin tonë dhe askush nga mazhoranca nuk kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Nëse e kërkojmë mbledhjen do të kuptojmë se çfarë i kemi bërë vetes ne, me krimin e organizuar, dosjet e AKSH-it, me marrjen e të dhënave, nuk na e ka bërë Irani”, tha Kapri.
Ai foli dhe për rritje të prezencës së kompanive kineze dhe rritje të shkëmbimeve tregtare.
Deputeti i Partisë “Mundësia” ngriti gjithashtu shqetësimin për protestën e banorëve në Shkodër, për çështje pronësie.
