Screenshot 2026 03 17 103239 696x385

Në Kuvendin e Shqipërisë u miratua sot me 79 vota pro dhe 1 abstenim, rezoluta që shpall Iranin, shtet sponsorizues të terrorizmit.

Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha gjatë fjalës së tij në Kuvend, se  kjo rezolutë lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe me rolin që Shqipëria ka zgjedhur të luajë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

“Rezoluta që kemi përpara lidhet me veprimtarinë e Republikës së Iranit dhe me përdorimin e instrumenteve terroriste dhe hibride për realizimin e objektivave të politikës së saj të jashtme. Prej vitesh, raportet e vlerësimit ndërkombëtar kanë dokumentuar mbështetjen e strukturave shtetërore iraniane për grupe të armatosura joshte­tërore dhe për struktura “proxy”, me qëllim ushtrimin e ndikimit dhe presionit në vende të ndryshme, përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe vendin tone”, tha Hasani.

“Këto zhvillime kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe kanë kontribuar në krijimin e një klime pasigurie në disa pjesë të botës. Për Shqipërinë kjo çështje nuk është vetëm një debat gjeopolitik. Në vitin 2022, institucionet e Shqipërisë u përballën me një sulm të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës shtetërore. Ishte një akt i rëndë dhe i paprecedentë ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe ndaj institucioneve demokratike”, theksoi Hasani.

Hasani tha se “hetimet dhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë e lidhën këtë sulm me Republikën Islamike të Iranit”.

Sipas Hasanit, kjo ngjarje dhe shumë të tjera tregojnë se kërcënimet ndaj shteteve sot nuk shfaqen vetëm në forma konvencionale, por edhe përmes operacioneve kibernetike dhe hibride që synojnë të godasin institucionet dhe funksionimin e tyre.

“Rezoluta që diskutojmë sot synon të shprehë qartë qëndrimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë kundër këtyre praktikave dhe të konfirmojë përkushtimin tonë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, pohoi ai, ndërsa bëri me dije se Shqipëria e ka bërë të qartë qëndrimin se siguria e saj kombëtare dhe integriteti i institucioneve demokratike nuk janë të negociueshme.

“Sulmet ndaj institucioneve të një shteti sovran nuk mund të relativizohen dhe nuk mund të kalojnë pa përgjigje. Duke miratuar këtë rezolutë, Kuvendi i Shqipërisë rikonfirmon faktin se vendi ynë do të qëndrojë në krah të aleatëve dhe partnerëve në mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe rendit ndërkombëtar”, përfundoi Hasani.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights