WhatsApp Image 2026 03 17 at 10.36.48 AM 696x464

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Rezoluta, e propozuar nga mazhoranca, synon të përcaktojë një qëndrim të qartë të Shqipërisë kundër terrorizmit dhe formave të tij moderne, përfshirë sulmet kibernetike dhe përdorimin e grupeve proksi.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, theksoi se Shqipëria duhet të jetë në linjë të plotë me aleatët ndërkombëtarë në përballjen me kërcënimet globale.

“Rezoluta synon të dënojë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin dhe përdorimin e strukturave paramilitare për destabilizim”, deklaroi Balla.

Balla theksoi se një nga pikat kryesore të dokumentit është thirrja ndaj qeverisë shqiptare për të ndërmarrë hapa konkretë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë shpalljen si organizata terroriste të: Gardës Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahut në Liban.

Sipas Ballës, këto struktura janë përdorur si instrumente të politikës së jashtme për destabilizim në rajone të ndryshme të botës.

“Në rezolutë synojmë të dënojmë në mënyrë të qartë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, të dënojmë përdorimin e grupeve proksi për destabilizimin dhe të dënojmë përdorimin e mjeteve hibride përfshirë sulmet kibernetike kundër institucioneve të shteteve sovrane. Rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare që në përputhje me legjislacionin tonë dhe në koordinimin e plotë me aleatët tanë të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit dhe organizatën Hezbollah në Liban si organizata terroriste, si dhe të forcojmë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shteti dhe rrjetet e tij”, deklaroi Balla.

“Një numër i konsiderueshëm tanimë vende dhe institucionesh ndërkombëtare i kanë marrë masat e ngjashme që propozohen për t’u miratuar në këtë rezolutë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste që në vitin 2019. Në janar të këtij viti, të njëjtën gjë e bëri dhe Bashkimi Evropian. Ndërkohë, një numër tjetër vendesh anëtare këtu të Bashkimit Evropian dhe ndër to spikat Gjermania, Franca, Britania dhe jashtë Bashkimit Evropian Mbretëria e Bashkuar, kanë marrë masa konkrete përfshirë shpalljen si organizatë terroriste Hezbollahun. Në këtë kontekst, qëndrimi i Shqipërisë është pjesë e një përpjekje të gjerë të koordinuar të Komitetit Ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë kolektive dhe për të parandaluar përdorimin e terrorizmit si instrument i politikës shtetërore”, tha Balla.

Balla theksoi se lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht një çështje sigurie, ajo është sot një betejë për mbrojtjen e demokracisë për mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit ndërkombëtar.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend shumë i qartë dhe i palëkundur në qëndrimin e saj. Ne jemi një vend që ka zgjedhur qartësisht anën e demokracive anën e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla dhe anën e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit”, theksoi Balla.

Në deklaratën e tij, Balla nënvizoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian, ka detyrim të kontribuojë në sigurinë kolektive dhe të mbrojë rendin ndërkombëtar.

Ai solli në vëmendje edhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, duke i cilësuar si akte armiqësore që synojnë destabilizimin e shtetit.

“Vendi ynë ka qenë vetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta në hapësirën tonë kibernetike. Sulmi i rëndë i vitit 2022 ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik ndaj një vendi sovran. Ai synoi të paralizonte shërbimet tona publike, të dëmtonte funksionalitetin e institucioneve dhe të cenonte besimin e qytetarëve në shtetin e vet.

“Shumë përpjekje të tjera janë parandaluar ose zbuluar në kohë. Por kjo do të thotë se ne nuk duhet të humbim vigjilencën, dhe vetëm pak ditë më parë përsëri Kuvendi i Shqipërisë ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik. Këto nuk janë incidente të zakonshme teknologjike, këto janë akte të mirëfillta armiqësore, që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionimin normal të shtetit”, tha Balla.

Balla tha se rezoluta nuk është një rezolutë kundër një populli dhe nuk i drejtohet kurrsesi qytetarëve të Iranit.

“Ajo është një qëndrim kundër praktikave shtetërore që mbështesin terrorizmin, destabilitetin dhe përdorimin e dhunës si një akt i pastër politik”, tha Balla,

Seanca u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës. Balla e cilësoi mungesën e tyre si të papërgjegjshme në një moment që lidhet me interesin kombëtar dhe sigurinë

“Keqardhje për mungesën sot në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, të cilët nuk ditën që në një moment solemn të një qëndrimi të domosdoshëm urgjent menjëhershëm të Shqipërisë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkrah vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sikurse përmenda Gjermaninë dhe Francën dhe plot vende të tjera përkrah një partneri të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, nuk dolën sot me interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër, tjetër, tjetër protestë pa krye, të vinin në seancën e Kuvendit të Shqipërisë dhe ta mbështesnin këtë qëndrim i cili është i domosdoshëm është urgjent dhe i nevojshëm sa i përket edhe kontekstit të ri pas zhvillimeve pas sulmit kibernetik kundër Kuvendit të Shqipërisë sa i përket interesit të Shqipërisë të brenda përbrenda nesh, por edhe zhvillimet që lidhen me bllokimin apo minimin e kanalit të Hormuzit apo zhvillime të tjera të bëra publike”, tha Balla.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights