Shpresa dhe solidaritet në Ramazan: 640 familje përfitojnë nga projekti “Shporta e Ramazanit” 🌙🤲
Në muajin e bekuar të Ramazanit, kur vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë marrin një kuptim edhe më të thellë, shumë familje në nevojë në Shqipëri kanë ndier dorën e ngrohtë të ndihmës dhe përkujdesjes.
Falë bujarisë së bamirësve dhe mbështetjes së Fondacionit të Rinisë Islame në Zvicër, u bë e mundur shpërndarja e 640 pakove ushqimore për familjet në rrethet Kukës, Shkodër, Malësi e Madhe, Kavajë dhe Tiranë. Këto ndihma nuk përfaqësojnë vetëm produkte ushqimore, por edhe një mesazh shprese, solidariteti dhe kujdesi për ata që kanë më shumë nevojë. 
Në shumë shtëpi, këto pako sollën gëzim dhe lehtësim, duke ndihmuar që sofrat e iftarit të jenë më të begata gjatë këtij muaji të shenjtë.
Mirënjohje e veçantë shkon për drejtuesit e fondacionit, kryetarin Lulzim Lecaj dhe Selami Hyseni, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në realizimin e këtij projekti humanitar.

Një falënderim i përzemërt u drejtohet edhe të gjithë bashkëkombësve tanë bamirës në Zvicër, të cilët me zemërgjerësinë e tyre u bënë shkak që shumë familje shqiptare të ndiejnë ngrohtësinë e solidaritetit dhe të kenë një sofrë më të begatë gjatë Ramazanit.
Allahu i shpërbleftë të gjithë për këtë vepër të mirë.
