Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, bëri të ditur se projektligji përfshin për herë të parë kërkesat e projektimit ekologjik (ecodesign) për produktet me ndikim në energji.
Sipas saj, ndryshimet synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën 2009/125/EC të Bashkimit Evropian, e cila përbën bazën e kuadrit të BE-së për kërkesat e dizajnit ekologjik.
Muçaj theksoi se përmes këtij projektligji synohet ulja e ndikimit mjedisor të produkteve gjatë gjithë ciklit të jetës së tyre, rritja e konkurrueshmërisë së produkteve në treg, garantimi i transparencës dhe sigurisë për konsumatorët, si edhe përgatitja e tregut vendas për integrimin në tregun e përbashkët evropian.
Ajo shtoi se propozimet parashikojnë rritjen e përgjegjshmërisë së operatorëve ekonomikë dhe forcimin e kontrollit administrativ përmes instrumenteve të reja ligjore dhe standardeve mjedisore.
Gjatë prezantimit në komision, Muçaj u shpreh se ndërhyrja ligjore vjen edhe si nevojë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të Bashkimit Evropian, pasi kuadri aktual rregullon vetëm etiketimin energjetik të produkteve dhe jo projektimin ekologjik të tyre.
Tregu i produkteve me ndikim energjetik po zgjerohet vazhdimisht dhe produktet me efikasitet të ulët energjetik apo me përbërje materialesh të rrezikshme paraqesin rreziqe për mjedisin, konsum të lartë energjie dhe shtim të mbetjeve elektrike e elektronike.
“Bizneset do të kenë mundësi të zgjedhin më mirë produktet që do të importojnë, pasi bëhet fjalë kryesisht për produkte importi. Kjo do të ndihmojë që në treg të hyjnë produkte më cilësore dhe do të krijojë kushte që tregu të zhvillohet në mënyrë më të qëndrueshme, theksoi Muçaj.
Përfshirja e kërkesave të projektimit ekologjik synon të ulë presionin mjedisor, të nxisë ekonominë, njëkohësisht pritet të rrisë cilësinë e produkteve në tregun shqiptar duke garantuar produkte më të qëndrueshme, jetëgjatësi më të madhe të pajisjeve, riparueshmëri dhe riciklueshmëri më të lartë, si edhe mbrojtje më të mirë të konsumatorit.
Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e kontrollit dhe koordinimit institucional, duke përcaktuar detyrime të reja për strukturat doganore dhe ato të mbikëqyrjes së tregut, si edhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional përgjatë gjithë ciklit të jetës së produkteve me ndikim në energji.
“Në të gjitha tregjet dhe në periudha të ndryshme të aktivitetit tregtar apo të importit mund të hasen praktika të padrejta në lidhje me tregtimin. Për këtë arsye, forcimi i organeve tona në pikën e importit, si dhe rritja e kapaciteteve teknike dhe sistemeve që verifikojnë automatikisht nëse kemi të bëjmë me mallra të falsifikuara, shërben si një sinjal shtesë për të kuptuar se çfarë duhet përmirësuar. Kjo bëhet për të shmangur mashtrimet përmes etiketimeve të rreme, të cilat dëmtojnë jo vetëm konsumatorin në cilësinë e produkteve, por edhe konkurrencën mes operatorëve të ndershëm dhe atyre që nuk janë të tillë”, tha Muçaj.
