Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga qëndresa dhe sakrifica e familjes Adem Jashari buron liria e Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se krismat e Jasharajve në Prekaz zgjuan mbarë kombin dhe e bënë sakrificën e tyre simbol kombëtar.
Kreu i qeverisë tha krahas të qenit ditë nderimi, sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që e pret vendin.
“Ne rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore, për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UCK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe për artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi. Qëndresa e familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në duhen e çlirimit përbejnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej secilës buron liria e Kosovës dhe mbi të cilën u ngrit Republika jonë. Krismat e pushkëve në Prekaz u përhapen larg deri tek ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare”, ka nënvizuar Kurti.
“Krahas të qenit një ditë nderimi, sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret. Sot ne jemi shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Jemi Republika e një shoqërie që ndërton të ardhmen e saj mbi demokracinë dhe ligjin, mbi liritë njerëzore e qytetare si dhe mbi vlerat civilizuese perëndimore. Ne nderojmë sakrificën e Jasharëve, teksa forcojmë Republikën çdo ditë me punë të ndershme e institucione stabile. Kjo është mënyra më e mirë për të kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, figura e komandantit legjendar Adem Jashari u bë personifikim i vendosmërisë për të mos pranuar nënshtrimin, ndërsa sakrifica e familjes së tij mbeti mësim i përhershëm për çmimin e lirisë.
“Si në çdo mars jemi këtu bashkë për kujtimin e një prej akteve më të larta të historisë sonë kombëtare, Epopesë së UCK-së. Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin shtypjes në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit, Adem Jashari e lidhur pazgjidhshmërisht me fatinë familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme”, ka theksuar Kurti.
