Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh këtë të martë, më 3 mars, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, ku u diskutua mbi zgjedhjet brenda partisë si dhe zhvillimet e fundit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe pasojat ekonomike që mund të sjellë te ne.
Në këtë mbledhje e cila zgjati vetëm 30 minuta, kryeministri Rama lajmëroi hapjen e fushatës për zgjedhje në Partinë Socialiste, të cilat mund të zhvillohen në periudhën qershor-korrik, por ende nuk ka një datë të saktë.
Në këtë mbledhje, ku ka folur vetëm kryeministri, ai u ka kërkuar socialistëve të nisin një dialog me bazën. Në bashki të caktuara sipas tij, duhet fokus edhe më i qartë, një dialog që do konkludojë më pas edhe në zgjedhjet për strukturat e partisë.
Tre ishin porositë kryesore të kryeministrit:
1- të shtrijmë dialogun me bazën dhe të përqendrohemi në bashki të caktuara.
2-të forcojmë bashkëpunimin me bazën socialiste.
3- të jemi të përgatitur për çdo pasojë ekonomike që mund të prodhojë lufta në Lindjen e Mesme.
Të pranishëm në këtë mbledhje, ishin të gjithë drejtuesit e 12 qarqeve, si dhe anëtarët e Kryesisë së PS-së. E pranishme ishte edhe drejtuesja e qarkut të Fierit, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Sjellim ndërmend se kjo është mbledhja e dytë e socialistëve, pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit të PS-së të mbajtur të enjten e shkuar, ku kryeministri njoftoi ndryshimet në qeveri.
Jo më larg se ditën e djeshme, më 2 mars, kreu i qeverisë i dorëzoi kreut të shtetit, Bajram Begajt, ndryshimet e fundit në qeveri. Takimi u zhvillua në Pallatin e Brigadave, për shkak se institucioni i Presidencës është në rikonstruksion.
Kreu i qeverisë propozoi shkarkimin e shtatë ministrave, mes tyre edhe të Belinda Ballukut dhe emërimin e ndryshimeve të reja. Në këtë mënyrë katër emra të rinj shtohen në kabinetin “Rama 4”.
Rama ka vendosur të largojë Belinda Ballukun nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo do të zëvendësohet nga ministrja aktuale e Brendshme, Albana Koçiu si zv/kryeministre ndërsa Enea Karakaçi do të marrë postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndryshimet në qeveri
Albana Koçiu – Zv.kryeministre (largohet Belinda Balluku)
Besfort Lamallari – Ministër i Brendshëm (largohet Albana Koçiu)
Ferit Hoxha – Ministër i Jashtëm (largohet Elisa Spiropali)
Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës (largohet Belinda Balluku)
Erjona Ismaili – Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin (largohet Toni Gogu)
Toni Gogu – Ministër i Drejtësisë (largohet Besfort Lamallari)
Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes (largohet Pirro Vengu)
