Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së kuadrit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e avancimit konkret të reformës zgjedhore brenda afateve të dakordësuara.
Deklaratat u bënë gjatë tryezës konsultative të zhvilluar sot nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore mbi projektligjin për Financimin e Partive Politike, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së.
Të pranishëm në aktivitet ishin dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Tarran e cilësoi rifillimin e punës së Komisionit “një sinjal pozitiv”.
“Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së kuadrit të saj zgjedhor. Rifillimi i punës së Komisionit është një sinjal pozitiv. Tashmë thelbësore është të sigurohet përparim i prekshëm në përputhje me kalendarin e dakordësuar”, u shpreh ambasadori.
Sipas tij, financimi i partive politike përbën një komponent kyç për funksionimin e shëndetshëm të sistemit politik, për konkurrencë të ndershme dhe të përgjegjshme, si dhe për forcimin e besimit të publikut në institucionet demokratike.
Tarran theksoi se një kuadër ligjor i përmirësuar duhet të udhëhiqet nga disa parime themelore: transparenca, barazia, zbatimi efektiv dhe sanksionet proporcionale.
“Deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike në përputhje me Kushtetutën është thelbësor. Rregullat duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë politike. Institucionet mbikëqyrëse duhet të kenë një mandat të qartë dhe burime të mjaftueshme financiare e njerëzore për të ushtruar siç duhet auditimin dhe kontrollin. Po ashtu, vendosja e sanksioneve proporcionale dhe efektive është e domosdoshme për të parandaluar përfitimet e paligjshme dhe për të dekurajuar mosrespektimin e ligjit”, deklaroi ai.
Ambasadori nënvizoi se këto parime lidhen ngushtë me gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it për financimin e fushatave zgjedhore, duke shtuar se kuadri i financimit të partive politike do të mbetej i paplotë pa adresuar edhe rekomandimet që lidhen me financimin e fushatave.
Ai përmendi gjithashtu raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportet e mëparshme, të cilat evidentojnë një sërë fushash ku rekomandohet rishikimi i kuadrit aktual ligjor.
“Në masën që këto rekomandime lidhen me punën e Komisionit tuaj, ai ka një rol kyç në ndërmarrjen e një reforme zgjedhore që adreson plotësisht rekomandimet e akumuluara ndër vite”, u shpreh Tarran.
Në këtë kuadër, ai ritheksoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Komisionin përmes ekspertizës teknike dhe ofrimit të praktikave më të mira nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në fushën e reformës zgjedhore.
“Jemi të gatshëm të mbështesim Komisionin edhe në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve të interesuara, pasi dialogu efektiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësore për përmbylljen e një procesi reformues që rrit besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe shton pjesëmarrjen në zgjedhje”, tha ai.
Duke qenë se zgjedhjet vendore janë planifikuar në pranverën e vitit 2027, Tarran theksoi se koha është vendimtare.
“Reforma efektive ka nevojë jo vetëm për përmbajtje cilësore, por edhe të miratohet në kohën e duhur, për të siguruar zbatim kuptimplotë të saj”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se konsultimi i sotëm dëshmon vlerën e dialogut gjithëpërfshirës dhe përfshirjen e aktorëve politikë, shoqërisë civile, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në forcimin e legjitimitetit dhe qëndrueshmërisë së rezultateve të reformës.
