Screenshot 2026 03 03 110014 696x444

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri konfirmoi sot se mazhoranca dhe opozita do të dalin me një draft të përbashkët për financimin e partive politike, në mënyrë që procesi të mos paragjykohet.

Gjatë një tryeze konsultimi të organizuar nga Komisioni mbi këtë çështje, Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e transparencës së financimit të partive politike për klimën demokratike të vendit.

“Së bashku me opozitën kemi vendosur të bëjmë një draft të përbashkët, që të mos ketë inate partizane apo të mos paragjykohet. Përkundrazi, të kemi rregulla të përbashkëta, të pranuara dhe të diskutuara me të gjithë aktorët politikë”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, shëndeti financiar i partive politike është një nga gjërat më të rëndësishme.

Gjiknuri theksoi se partitë politike nuk janë thjesht organizata që vetëqeverisen dhe nuk kanë rëndësi për vendin.

“Përkundrazi shëndeti demokratik, transparenca dhe rregullat sa më të konsoliduara të jenë, aq më i garantuar është edhe shëndeti i demokracisë, sepse partitë qeverisin vendin si në qeveri, dhe në opozitë”, shtoi ai.

Ndaj për Gjiknurin, ndërtimi i një ligji me parametrat, kërkesat dhe standardet që kërkon koha është një element shumë i rëndësishëm.

“Ne në Komisionin e Reformës Zgjedhore vendosëm ta zhvillojmë si çështje të parë financimin e partive. Ligji duhet të jetë proporcional, në përputhje me traditën e vendit dhe me standardet më të mira, por natyrisht duke marrë parasysh edhe jetën shoqërore dhe traditën e shoqërisë shqiptare”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, ligji nuk duhet të kthehet në barrë të rëndë për partitë e vogla politike.

“Ndaj duhet të gjejmë një balancë shumë të qartë që garanton transparencë në përfundimin e auditimit dhe të parandalojë ndikimet e paligjshme në jetën politike e demokratike të vendit. Financimet nga fuqi të huaja shpesh kanë sjellë probleme në vende të tjera duke penguar progresin demokratik apo duke qenë kundër interesit kombëtar. Këto janë gjëra të rëndësishme që ky ligj duhet t’i adresojë”, tha Gjiknuri.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights