1772192335 bajrambegaj

Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me homologen e tij maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova në RMV.

Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të thellojnë bashkëpunimin ekonomik.

“E nderuar presidente, zonja e zotërinj. Është gjithmonë kënaqësi t’ju takoj, faleminderit për ftesën dhe bisedën e ngrohtë që zhvilluam së bashku. Gjatë bisedës, vlerësuam marrëdhëniet e mira që kemi si vende dhe përpjekjet e përbashkëta për zhvillim. Shqipëria dhe RMV janë të vendosura për të thelluar bashkëpunimin. Ne folëm edhe për marrëveshjet e nënshkruara mes qeverive tona. Ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë. Për ne, RMV konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, me rritje të flukseve tregtare. Por gjithmonë ka mundësi për më shumë. Përmes zbatimit të projekteve të nënshkruara më parë, kemi arritur rezultate konkrete si njohja e diplomave, kalimi më lehtë në dogana dhe bashkëpunim më i madh ekonomik. Ne duhet të thellojmë më tepër bashkëpunimin politik dhe ekonomik. Korridori VIII është simbol i bashkëpunit të përbashkët. Ai është korridor i sigurisë europiane”, tha Begaj.

Më tej, Begaj deklaroi se si president është i obliguar të flasë edhe për shqiptarët që jetojnë e banojnë në RMV. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet, që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Shqiptarët këtu janë shtet-formues, janë konstruktivë dhe demokratikë. Shqiptarët kanë qenë dhe mbetën kyç në procesin e integrimit të vendit tuaj për në BE. Shqipëria e vlerëson si arritje historike marrëveshjen kornizë të Ohrit. Ne vlerësojmë vullnetin për të pasur në RMV një shoqëri multi-etnike. Ne besojmë se ruajtja e elementit të barazisë është tepër e rëndësishme për të ardhmen europiane. Të gjithë qytetarët duhet të trajtohen si të barabartë, pavarësisht se çfarë etnie kanë, çfarë besimi kanë apo çfarë bindje politike kanë. Ne duam që të hyjmë në BE brenda vitit 2030. Shqipëria mbështet integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm për një sërë fushash”, deklaroi Begaj.

Në pyetjet e bëra nga gazetarët, kreu i shtetit shqiptar tha se Ballkani prodhon më shumë politikë nga se duhet, duke shtuar se paqja dhe mirëkuptimi duhet të mbizotërojnë në të ardhmen.

“Pyetje shumë e drejtë. Sa herë kam ardhur në RMV, qoftë për forume apo takime të ndryshme, edhe në këtë vizitë zyrtare një pjesë të rëndësishme të agjendës e zë dhe takimi me faktorin shqiptar. Edhe unë do doja t’i kisha takuar të gjithë në një tryezë të përbashkët. Për sa kohë ata përfaqësojnë ideologji të ndryshme, ku një pjesë janë në opozitë e një pjesë në qeveri, ne duam që takimet të bëhen të ndara. Do bëjmë edhe një takim në Kuvendin e RMV. Mesazhi i unitetit është i padiskutueshëm, kur vjen puna për ëndrrën dhe vizionin e përbashkët eutoatlantik”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Begaj ftoi presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova të vizitojë Tiranën.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights