Një nga emrat më të kërkuar të botës së krimit, Durim Bami, pritet të ekstradohet sot, 26 shkurt, nga Dubai në Shqipëri.
47 vjeçari, është person i njohur për drejtësinë shqiptare dhe akuzohet në disa dosje të rënda penale.
Durim Bami, i njohur ndryshe si “i forti i Niklës” është përfshirë në ngjarje të bujshme kriminale.
Ai u arrestua në Dubai të Emirateve të Bashkuara më 12 qershor të 2024-ës, 2 muaj pasi u shpall në kërkim në kuadër të dosjes “Revanshi”.
Ai ishte shpallur në kërkim për kultivim të parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës dhe për përfshirje në vepra të rënda kriminale, përfshirë sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe atentate.
Bami akuzohet gjithashtu për porositjen e disa atentateve ndaj ish-deputetit të PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe për planifikimin e eliminimit të dy miqve të Ervis Martinajt, Erigers Mihasit dhe Tori Xheçukës.
Konflikti mes Bamit dhe Ndokës nisi për shkak të dyshimeve se Bami ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të Ndokës, Aleksandër Ndoka.
SPAK thekson se Durim Bami ka pasur një rol të madh në trafikun e drogës, duke kontrolluar kultivimet nga bregdeti i Adriatikut deri në Malësinë e Krujës, me ndikim të gjerë në botën kriminale dhe, sipas hetimeve, edhe me mbështetje të disa strukturave policore.
