Të gjitha kantieret e ndërtimit në Tiranë do të përballen me masa të rrepta nëse nuk respektojnë kushtet e sigurisë teknike.
Kreu i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qëndro bëri të ditur sot se kontrollet e nisura synojnë verifikimin e plotë të kushteve të sigurisë, pas rritjes së rasteve të aksidenteve në kantieret e kryeqytetit.
Sipas tij, numri i aksidenteve në punë dhe rastet fatale në kantiere e bëjnë të domosdoshëm këtë aksion.
“Jeta është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër”, theksoi ai.
Qendro e cilësoi të papranueshme bllokimin e trotuareve pa krijuar tunel sigurie për kalimtarët, duke theksuar se nënat me fëmijë dhe qytetarët nuk mund të rrezikohen për shkak të neglizhencës së ndërtuesve.
Qëndro theksoi se ndërtuesit që nuk plotësojnë detyrimet ligjore nuk do të kenë asnjë tolerim.
“Do të kontrollohen të gjitha kantieret në bazë të ligjit, do t’u lihen detyra për një javë deri në 10 ditë për të korrigjuar mangësitë, dhe pas rikontrollit, ata që nuk plotësojnë kërkesat do të ndëshkohen rreptësisht”, tha Qëndro.
Sipas tij, Inspektoriati ka nisur verifikimin e 150 lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë dy viteve të fundit, si dhe lejeve të mëparshme që vazhdojnë të jenë aktive në kryeqytet.
Kontrolli po realizohet në bashkëpunim me Inspektoriatin e Bashkisë, AZHT-në dhe Policinë Bashkiake të Tiranës.
Qëndro theksoi se kontrolli do të jetë bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë projektuesit dhe ekipet e supervizionit, për të siguruar respektimin e ligjit për të gjitha llojet e ndërtimeve, përfshirë banesat sociale dhe objektet kulturore të buxhetuara nga shteti.
Sipas planit të punës së IKMT-së, procesi i verifikimit do të vazhdojë deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të sigurisë teknike, duke synuar uljen e aksidenteve dhe garantimin e një mjedisi pune të sigurt për punonjësit në ndërtim.
