Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, projektligjin “Për qeverisjen elektronike”.
Deputeti Malaj tha se ky projektligj buron nga dinamika reale e zhvillimit të shtetit digjital në Shqipëri dhe nga nevoja për ta përshtatur atë me kuadrin ligjor.
Malaj deklaroi se “sfida kryesore nuk është më ndërtimi fillestar i sistemeve dhe platformave, por operimi i qëndrueshëm dhe me funksionalitet të lartë në kohë”.
Sipas Malajt, ligji në fuqi ka krijuar një bazë institucionale dhe ka ndikuar në krijimin e platformave kryesore digjitale, por praktika e zbatimit ka evidentuar kufizime strukturore të modelit aktual, i cili has vështirësi kur përballet me siguri të avancuar dhe kompleksitet në rritje.
“Thelbi i projektligjit është për një ndarje më të qartë të funksioneve rregullatore dhe atyre operative në përputhje me parimin e qeverisjes së mirë”, pohoi Malaj.
Deputeti socialist nënvizoi se ndryshimet synojnë krijimin e një modeli të ri organizimi dhe operimi të sistemeve TIK, ku funksionet operative do të mund të realizohen jo vetëm nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKShI), por edhe nga shoqëri aksionare me shumicë shtetërore.
“Objektivat kryesore të projektligjit përfshijnë forcimin e rolit të AKShI-t për standardizimin dhe sigurinë e sistemeve, mundësimin e krijimit të shoqërive aksionere me shumicë shtetërore për administrimin e sistemeve TIK, rritjen e transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare të shërbimeve digjitale, si dhe përshtatjen e kuadrit ligjor me praktikat bashkëkohore të Bashkimit Evropian”, vijoi ai.
Ndërsa, deputeti i PD-së, Tritan Shehu shtoi se “çdo ligj vjen në një kontekst të tërë, jo vetëm ana teknike”.
“Ky ligj vjen në një moment të zhvillimit të korrupsionit, që ka gërryer institucionet dhe në krye të listës del AKShI për bëmat dhe zullumet e mëdha që ka krijuar në fenomenin e kësaj qeverisje që është korrupsioni. Elementi i mospasjes së efekteve të financiare duhet të vinte me dokument të veçantë nga Këshilli i Ministrave, por siç duket ky projektligj kërkon të fshehë autorët e vërtetë që qëndrojnë pas tij”, tha Shehu.
Projektligji u miratua me 8 vota pro, 1 kundër dhe zero vota abstenim.
