Screenshot 3 22 696x513

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo në foltoren e Kuvendit, ku ishte vendosur mbishkrimi “UÇK”, tha se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Gjykatën Speciale janë ngritur për liri, prandaj çdo përpjekje për njollosje të luftës është e papranueshme.

Osmani tha se çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbia e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes në rajon.

“UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigjja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e padrejtë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së të Kosovës që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Ndaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë e minon drejtësinë dhe dëmton themelet e paqes afatgjatë në rajon… Sot më shumë se kurrë e kemi për detyrë të qëndrojmë së bashku. Asnjë dallim yni i së kaluarës apo i së tashmes nuk guxon të jetë pengesë në unitetin tonë, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare”, tha ajo.

Krahas kësaj, presidentja Osmani tha se pavarësia e Kosovës qëndron në vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova si dhe në luftën e komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, luftuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot, me respektin më të thellë, përulemi para kujtimit të gjithë burrave dhe grave që ranë për këtë ditë, në mënyrë që Kosova të jetë republikë. Në themelet e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë… Historia jonë më tej është brumosur në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij heroike dhe të gjithë burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi presidentja Osmani.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights