Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj kritikave të opozitarëve për buxhetin e vitit 2026. Ai tha se ekspozeja e tij e paraqitur me rastin e formimit të qeverisë nuk mund të përfshihet menjëherë në buxhet para se të sillet programi qeveritar në Kuvend.
Sipas tij, sapo të sjellin programin qeveritar në Kuvend do të rishikohet buxheti për vitin 2026.
“Nuk mund të jetë i ri, ashtu siç është përbërja e Kuvendit dhe ashtu siç është qeveria e re. Zotimet që i kemi thënë në fushatën e fundit, natyrisht, janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë me datën 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri duhet të vijë tek ju programi qeveritar”, tha Kurti.
Kryeministri vijoi duke theksuar se “do të ishte jonormale që ne të sjellim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave për nga kronologjia është: zotimet në fushatë, ekspozeja, programi dhe më pastaj rishikimi i buxhetit”.
“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së, por u përgjigja se njëherë do të sjellim programin qeveritar dhe pastaj rishikimin e buxhetit. Por nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tash ka progres stabël”, tha ai në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2026.
Pas fjalës të tij, Kurti la sallën plenare, por tha se do të kthehet.
