Screenshot 2026 02 13 101733 696x385

Sot zhvillohet dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Deri më tani fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, dhe mbrojtja e Thaçit dhe Veselit.

Ndonëse Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, avokatët e Thaçit dhe Veselit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe kanë deklaruar se klientët e tyre janë plotësisht të pafajshëm.

Radha sot është për avokatët e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, nis fjalën sot duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema në emër të klientit të tij: pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore që pretendohet të jenë bërë prej Selimit, dhe më pas për disa përjashtime që mbulon ZPS-ja në dosjen e saj.

Avokati i Selimit nisi me kundërargumentimin e pretendimit të parë të Prokurorisë kinse Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik.

“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”, u shpreh ai.

Sipas tij, termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)” është një tezë e Prokurorisë, “e hartuar si një kosh ku Prokuroria mund t’i hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore” për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie dhe që drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik.

“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga zoti Selimi, siç pretendon ZPS-ja”, vuri në dukje avokati.

Sipas avokatit, nuk kishte asnjë forcë policie të krijuar në prill të vitit 1999, duke marrë parasysh rrethanat në atë kohë, dhe nuk ka asnjë provë konfirmuese të paraqitur nga dëshmitarë apo ZPS-ja që vërtetojnë një pretendim të tillë.

Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights