Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte tema kryesore në diskutimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dje në Forumin Strategjik të Bled-it në Slloveni. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim. Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, doli kundër zyrtarit të lartë të Brukselit, teksa theksoi se nuk beson se Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së në 2030, por edhe kjo kohëzgjatje ka përparësitë e veta. Madje Rama shtoi se BE duhet të jetë më shumë mbështetëse ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm të kritikojë.
Sot Rama ka përcjellë një reagim në Twitter ku shkruan se “të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse, është më e sigurtë se të ulesh në një avion rus”. Reagimi i tij vjen pas lajmit se KE kundërshtoi propozimin e Charles Michel për zgjerimin e Bashkimin Evropian në 2030.
Postimi
“Po sigurisht, kjo është arsyeja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan… Gjithsesi më besoni, në statusin aktual të punëve të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurtë se të ulesh në një avion rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë shumë larg, por një gjë është e sigurtë si vdekja: Ky autobus nuk do të përplaset kurrë në BE”.