U mbajt sot në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për dosjen e Erion Veliajt. Mësohet se është vendosur që dosja e kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj të kalojë për gjykim.
Seanca e parë u zhvillua më 29 shtator 2025, por u shty për mosparaqitje të avokatit. Për të njëjtën arsye u shtynë edhe seancat e 10 tetorit, 21 tetorit dhe 28 tetorit, kur Veliaj zëvendësoi avokatët që e kishin përfaqësuar gjatë hetimit paraprak dhe seancës së masës së sigurimit personal. Ai pajtoi atëherë për t’u përfaqësuar avokatin Artan Gjermëni.
Seanca paraprake dështoi të përmbyllej edhe në janar të këtij viti, kur seanca e 5 janarit u shty për mungesë të një avokati, ndërsa ajo e 19 janarit për t’i dhënë kohë konsultimit me të pandehurin.
Seanca e zhvilluar më 2 shkurt u shty për shpallje vendimi, që do t’u njoftohet palëve në proces sot.
Neni 332 i Kodit të Procedurës Penale, “Caktimi i seancës paraprake”, përcakton ndër të tjera se: “Gjykata vendos mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të saj”.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive.
