Një 24-vjeçar ka tentuar të kryejë mbrëmjen e djeshme dy grabitje të ndryshme, por ka dështuar tek të dyja.
I riu,vetëm pak minuta pas përpjekjes së dështuar në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”, rreth orës 19:15 është futur në një market në sheshin “Prek Cali”, duke tentuar të marrë me forcë një shumë parash, por është larguar pa arritur qëllimin dhe pas një konflikti me punonjësin.
Njoftimi:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:
M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.
Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.
Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.
Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.
Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
