Gjykata e Lezhës ka caktuar këtë të premte, masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin e policisë që u përfshi në përplasjen me armë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.
Seanca e zhvilluar sot me dyer të mbyllura, raporton se efektivi u ka qëndruar deklarimeve të mëparshme, duke thënë se ka qëlluar me qëllim për të neutralizuar situatën.
Kjo duke qenë se kishte parë personat e armatosur duke qëlluar drejt tyre.
Sjellim ndërmend se ngjarja ka ndodhur brenda një berberhaneje të dielën e datës 1 shkurt, ku tre persona qëlluan me breshëri armësh duke lënë të plagosur pronarin e subjektit, me profesion berber.
Brenda berberhanes ndodheshin disa persona, mes të cilëve edhe shënjestra e atentatit.
Shkëmbimi i zjarrit ka prekur edhe bizneset përballë lokalit, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima.
Pas ngjarjes, një efektiv policie u pezullua nga detyra dhe më pas u ndalua me urdhër të Prokurorisë, pasi akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa gjatë incidentit ai ka qëlluar me armë, për të neutralizuar autorët.
Efektivi me inicialet B.K. ishte pjesë e Patrullës së Përgjithshme Lezhë-Mirditë.
