Komisioni i Ligjeve 3 696x539

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nismën e saj për një shtesë në ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Në fjalën e saj, Zhupa tha se “me këtë shtesë kemi mundësi që t’i barazojmë mësuesit e diplomuar para procesit të Bolonjës para ligjit mos t’i diskriminojmë, të garantojmë sigurinë juridike, meritokracinë dhe të vlerësojmë përvojën e tyre arsimore”.

Duke sqaruar kontekstin pse është e nevojshme kjo shtesë në ligj dhe çfarë parashikon, Zhupa tha se “në qershor të 2024 qeveria shqiptare ish-ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka nxjerrë një VKM me të cilën hiqen pagesat e kategorisë së mësuesve që ishin diplomuar para Procesit të Bolonjës duke i hequr rreth 50 mijë lekë të vjetra secilit me justifikimin që nuk kishin arsim të lartë dhe arsim master sipas kërkesave që kishte sistemi i Bolonjës”.

“Në atë kohë kam qenë kryetare e Komisionit të Edukimit dhe kemi zhvilluar dëgjesa me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit shqiptar dhe ministren Manastirliu për t’i kërkuar tërheqjen nga kjo VKM, që i hiqte një të drejtë të fituar mësuesve shqiptarë që deri në ato momente njiheshin njëlloj si kolegët e tyre, edhe pse kishin mbaruar institutet e dikurshme para sistemit të Bolonjës, por njiheshin si të diplomuar me arsimin e lartë dhe me master 60 apo 90 kredite”, nënvizoi Zhupa.

Sipas saj, justifikimi në komision ka qenë që është një barazi me nëpunësit e administratës publike dhe nuk e morën parasysh kërkesën e mësuesve.

“Më pas është vazhduar me protesta me dëgjesa dhe është vajtur në Gjykatën Kushtetuese, ku palë ka Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptare dhe Këshilli i Ministrave. Qeveria ka qenë në GJK kundër mësuesve për të përfituar këtë pagesë të kategorisë që e kishin pasur deri në 2024 pavarësisht që sistemi i Bolonjës kishte hyrë më përpara në Shqipëri, pra e kishin përfituar”.

Zhupa u shpreh se “ligji i Arsimit Parauniveristar ua jep këtë të drejtë mësuesve dhe sot që ne flasim thotë që “Mësuesit për këtë pagë në nenin 71 pika 6 e tij do të njihen si me arsim të lartë si dhe me arsim master profesional 60 apo 90 kredite”. Pavarësisht se ua jepte ligji i Arsimit Parauniversitar ua hiqte VKM, ky ishte konflikti që shkuan në Gjykatë Kushteutese, pra një VKM që nuk ishte në përputhje me ligjin. Gjykata Kushtetuese u nda katër me katër, siç di të bëjë më mirë për të mos marrë vendim, por në diskutimet kushtetuese dhe në qëndrimet që mbajti GJK në sugjerimet e saj ishte që ju do të duhet të kërkoni ndryshimin e Ligjit të Arsimit të Lartë ku edhe në këtë ligj të klasifikoheni e të njiheni si me arsim të lartë dhe master profesional 60 apo 90 kredite në kohën që ka përfunduar”, sqaroi Zhupa.

Nisur nga kjo, shtoi Zhupa, me një bashkëpunim me Sindikatën e Arsimit, me juristët e tyre dhe tanët, kam depozituar këtë nismë ligjore që parashikon vetëm një ndryshim në ligjin “Për arsimin e lartë”.

“Në ligj do të shtohet pika me përmbajtje: personat e diplomuar në programe studimi të përfunduar para përshtatjes së tyre sipas parimeve të procesit të Bolonjës trajtohen nga ana administrative dhe financiare sipas nivelit të diplomës që kanë pasur para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo përfshin diplomat e programeve 3-vjeçare (6 semestra), të cilat do të njihen si diploma bachelor, si dhe diplomat profesionale 60 apo 90 kredite, të cilat vazhdojnë të njihen dhe trajtohen si diploma të nivelit të dytë për qëllime klasifikimi pagese dhe avancimi në karrierë”, theksoi Zhupa.

Zhupa bëri të ditur se “si rezultat i asaj VKM dhe ndaj kemi ardhur këtu sot, 11 172 mësues të arsimit parauniversitar u privuan nga trajtimi financiar dhe avancimi në karrierë, të cilët deri në ato momente e kishin njësoj me kolegët e tyre. Japin të njëjtat lëndë, në të njëjtin cikël me të njëjtët nxënës siç e kanë dhënë para VKM dhe pas VKM”.

“Ky ndryshim synon të rregullojë këtë situatë t’i vendosë mësuesit në kushte të barabarta pavarësisht kohës se kur janë diplomuar dhe të ketë mundësi që asnjë qeveri nesër mos ta ndryshojë me një VKM trajtimin financiar të mësuesve. Kjo VKM u cenon edhe për pensionin, pasi pagesa më e ulët e viteve të fundit para pensionit ndikon edhe në masën e pensionit që do marrin ata, sepse do të vendosin bazën mbi të cilat do të ngrihet pensioni i tyre”, tha Zhupa.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se “si komision mbetemi të hapur dhe të vëmendshëm në trajtimin këtij problemi. Jemi vënë në dijeni nga Ministria e Arsimit dhe qeveria që ka një grup pune që është ngritur dhe ka filluar punën për të riparë ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Në kuadrin e atyre ndryshimeve që po punohen nga ky grup pune për t’u ndryshuar në këtë ligj në mënyrë organike do të duhet të trajtohet edhe kjo nismë”.

Pas debateve, mazhoranca me 9 vota rrëzoi nismën e propozuar nga deputetja e PD

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights