Policia e Beratit njoftoi sot se, si rezultat i kontrolleve në subjekte në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv konstatimin e ushtrimit të veprimtarive ekonomike në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, u zbulua një subjekt në lagjen “10 Korriku” që shiste pa kuponë tatimorë, edhe on line, ora dore të kontrabanduara, imitime të markave të ndryshme.
Në lidhje me këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për pronarin e subjektit, shtetasin A. D., 39 vjeç.
Gjatë kontrollit në subjektin e tij u sekuestruan 191 ora dore, imitime të markave të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat shiteshin edhe on line. Shtetasi nuk dispononte fatura blerjeje për mallrat dhe nuk lëshonte kuponë tatimorë gjatë shitjes.
Policia bën me dije se kontrollet kundër paligjshmërive në fushën ekonomike do të vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
