Screenshot 7 696x369

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

Në fjalimin e saj, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani theksoi se teknologjia pa vlera përfaqëson fuqi pa përgjegjësi dhe se inteligjenca artificiale, nëse nuk udhëhiqet siç duhet, mund t’i thellojë ndarjet shoqërore. Sipas saj, qeverisja e mençur e kësaj teknologjie mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të rrisë potencialin njerëzor.

“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë arsimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim, mund t’i thellojë ndarjet. Por, nëse qeveriset me mençuri, ajo mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të ngrejë potencialin njerëzor”, tha ajo.

Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato. Ajo shtoi se përparimi i vendit në këto fusha po njihet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.

Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe tregje të tjera.

“Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë. Përmes një rrjeti në zgjerim të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë me Emiratet e Bashkuara Arabe këtu dhe shumë vende të tjera, sipërmarrësit, inovatorët dhe profesionistët tanë lëvizin, lidhen dhe bëjnë biznes me më shumë lehtësi. Përmes qasjes tonë në tregjet e BE-së, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe më gjerë, falë marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë, kompanitë e bazuara në Kosovë operojnë brenda një hapësire ekonomike me më shumë se 700 milionë konsumatorë. Kështu ndërtohet besimi. Dhe besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese. Pilar i tretë i ekonomive të gjeneratës së ardhshme është një mjedis biznesi që shpërblen iniciativën”, ka thënë Osmani.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights