Këshilli bashkiak i Tiranës në mbledhjen e parë për vitin 2026, votoi disa vendime të rëndësishme kryesisht për mbështetje me subvencion nga bashkia, për strehimin e familjeve në nevojë për disa kategori të caktuara.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani u ndal edhe te situata e përmbytjeve që përfshiu vendin tonë pak ditë më parë, duke vlerësuar punën e ekipeve të emergjencave.
Ristani tha se pavarësisht sasisë së shirave, Tirana e ka përballuar mjaft mirë situatën e përmbytjeve për shkak të gatishmërisë së ekipeve në terren.
Një tjetër pikë që ceku Ristani ishte dhe puna e bërë nga bashkia e Tiranës përgjatë verës, për të parandaluar daljen e lumit Lana nga shtrati në zonën e Pallatit me Shigjeta, e cila ka rezultuar mjaft problematike gjatë shirave më herët.
“Dua të shfrytëzoj një moment për të falënderuar punonjësit e bashkisë së Tiranës, të cilët kanë qenë të përfshirë në përballimin e emergjencave dhe situatave që patëm për shkak të motit pak ditë më parë. Arritëm ta përballojmë me sukses. Që nga Tirana dhe zonat qendrore, fshatra dhe zonat e thella malore. Kemi pasur disa banorë të prekur në urën e Farkës, të cilët përkohësisht janë evakuuar, janë vendosur në banesa sociale. Dhe pastaj kur banesat e tyre nuk kanë qenë më në rrezik, janë rikthyer përmes ndihmës së punonjësve tanë të emergjencave”, theksoi Ristani.
Ristani u shpreh se rikujtoi pastrimin e shtratit të Lanës gjatë verës.
“Kjo gjë na ka ndihmuar në përballimin e kësaj situate, sidomos në segmentin e Lanës te Pallati me Shigjeta, e cila është një zonë problematike, ka qenë nën vëzhgim dhe nuk doli këtë radhë nga shtrati”, tha Ristani.
