Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara formalisht në Kuvend, por me standardet reale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Sipas Tabakut, integrimi evropian nënkupton më shumë arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, siguri ushqimore, ekonomi funksionale dhe infrastrukturë sipas standardeve të BE-së, fusha në të cilat Shqipëria, sipas saj, mbetet ende shumë larg.
Tabaku shtoi se vetë qeveria shqiptare ka pranuar këtë realitet, duke kërkuar zyrtarisht periudha të ndërmjetme në negociatat me Bashkimi Evropian.
“Vetëm për sigurinë ushqimore janë kërkuar të paktën 5 vite shtesë për përmbushjen e standardeve. Për infrastrukturën nevojiten rreth 15 vite investime, ndërsa për ekonominë një dekadë e plotë”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, këto kërkesa tregojnë qartë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim real dhe se problemet nuk janë të reja.
“Këto nuk janë detyrime që Shqipëria po i mëson sot. Janë çështje të njohura prej vitesh, por të injoruara sistematikisht nga qeveria gjatë 12 viteve të fundit”, deklaroi ajo.
Tabaku nënvizoi se në total janë rreth 15 periudha të ndërmjetme që qeveria shqiptare ka kërkuar nga Bruksel, një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit për të ndërtuar standardet evropiane brenda vendit.
“Në fund të ditës, Evropa nuk është në letra dhe në raporte propagandistike. Evropa është në cilësi dhe standarde. Fatkeqësisht, këto standarde ende nuk i kemi arritur, dhe me këtë ritëm, rrezikojmë të mos i arrijmë as në vitet që vijnë” tha Tabaku.
