Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, reagoi ndaj protestave më të fundit në vend, të nxitura nga përkeqësimi i kushteve ekonomike, duke thënë se ka udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillojë bisedime me protestuesit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të funksionojë dialogu që ai ka propozuar ose nëse mund t’i frenojë protestat, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë një ton politik, shkruajnë mediat e huaja. Trazirat nisën nga zemërimi për rritjen e fortë të çmimit të dollarit amerikan dhe rënien e rialit vendas, por më pas u zgjeruan shpejt duke u përhapur thuajse në të gjithë vendin, e madje duke marrë kthesë të dhunshme në disa qytete.
Në një pohim të rrallë të operacioneve të tij të fshehta brenda Iranit, agjencia izraelite e spiunazhit, Mossad sipas The Times, i bëri thirrje iranianëve të protestojnë kundër regjimit të Republikës Islamike. “Dilni të gjithë bashkë nëpër rrugë. Koha ka ardhur,” shkroi Mossad duke shtuar: Ne jemi me ju, jo thjesht larg dhe vetëm me fjalë. Ne jemi me ju në terren.”
