Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz me rastin e Ditës së Veteranit.
Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati ka përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë, pa të cilët tha se “kjo festë është e mangët pa njerëzit që luftuan për vendin tonë”.
Gucati pas homazheve ka kritikuar edhe institucionet sa i përket legjislacionit.
“Në këtë vend ku jemi sot para 34 viteve kanë qenë shkëndijat e para të lirisë, të luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë, me Hamzën dhe Ademin dhe rrethi i tij i gjerë, Jasharët, u përballën me forcat çetnike paramilitare serbe që luftuan për ditën e sotme. Dhe, ne sot si veteranë nuk e ndiejmë veten aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku Ligji për Vlerat e Luftës nuk është bërë ende dhe ne këtë festë që e festojmë sot e kemi të mangët për arsye se ne i kemi njerëzit, të cilët e kanë udhëhequr luftën që janë në qendrën të paraburgimit në Hagë. Kjo festë sot është e mangët pa ata njerëz të cilët luftuan për vendin tonë, kështu që unë në emrin tim dhe në emrin e të gjithë këtyre shokëve këtu do t’ua uroj Ditën e Veteranit, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Gucati.
Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, nga e cila filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së. Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.
