Të paktën 13 persona u vranë dhe më shumë se 90 të tjerë u plagosën pasi një tren ndërqytetas doli dje nga shinat në shtetin meksikan, Oaxacas, “sipas Reuters”.
“Treni interoqeanik mbante 250 persona kur doli nga shinat pranë Nizandas”, sipas Marinës Meksikane, e cila mbikëqyr linjën hekurudhore.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum tha në X se pesë nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.
Ajo tha se zyrtarë të lartë ishin dërguar në vendngjarje për të ndihmuar familjet e viktimave dhe se një hetim ishte duke u zhvilluar.
Guvernatori i shtetit të Oaxacas, Salomon Jara Cruz, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjarët që kishin humbur të dashurit në aksident.
Treni interoqeanik u përurua në vitin 2023 nga paraardhësi dhe aleati politik i Sheinbaum, Andres Manuel Lopez Obrador.
Ai ishte pjesë e një shtytjeje për të zhvilluar Meksikën Juglindore dhe për të krijuar një korridor strategjik mallrash që lidhte oqeanet Atlantik dhe Paqësor.
Gjithashtu, përfshinte zgjerimin e porteve dhe infrastrukturës tjetër me qëllim konkurrimin me Kanalin e Panamasë.
Por, disa nga projektet, përfshirë trenin interoqeanik dhe trenin Maya aty pranë, janë kritikuar për çështje mjedisore dhe sociale.
Kanë ndodhur edhe incidente të tjera, si ai i 20 dhjetorit kur një tren u përplas me një kamion mallrash që po përpiqej të kalonte shinat, megjithëse nuk pati viktima
