Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve, presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova bëri thirrje për një konsensus kombëtar për integrimin evropian.
“Duhet unitet rreth qëllimeve strategjike të vendit. Integrimi evropian nuk është vetëm një proces administrativ, por një sfidë politike që kërkon ndryshime kushtetuese dhe garanci të qarta nga Bashkimi Evropian dhe Bullgaria.
Pa garanci të qarta nga BE-ja dhe Bullgaria dhe pa mekanizma mbrojtës të përshtatshëm, me një ndryshim tjetër kushtetues rrezikojmë të dalim nga ky proces të zhveshur nga sovraniteti kombëtar dhe pa një identitet kombëtar e kulturor”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.
Presidentja Davkova kujtoi se negociatat me BE-në fillojnë dhe mbarojnë me gjyqësorin dhe se vullneti politik është çelësi i përparimit.
Sipas saj, Maqedonia ka të drejtë sovrane për anëtarësim në BE, por se procesi duhet të jetë i drejtë dhe transparent.
“Ne kemi propozuar disa zgjidhje, ndaj BE-ja duhet të zgjedhë një ose të ofrojë të vetën. Nëse ka një zgjidhje për Ukrainën dhe Moldavinë, do të jetë e lehtë të gjendet një e tillë edhe për ne. Për këtë nevojitet vullnet politik, jo vetëm nga ne, por edhe nga vetë BE-ja.
Integrimi evropian është kthyer tashmë në një shembull shkollor të neglizhencës së procedurave”, tha Siljanovska-Davkova.
Presidentja përmendi gjithashtu euroskepticizmin mes qytetarëve, duke vënë në dukje se sondazhet e opinionit publik tregojnë se ata e duan BE-në si qëllim, por po pushojnë së besuari se kjo është e arritshme.
Negociatat për Maqedoninë e Veriut janë bllokuar me kushtin që ky shtet të bëjë ndryshime kushtetuese që do të përfshinin komunitetin bullgar në preambulën e Kushtetutës. Ndërsa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian po dërgojnë mesazhe të qarta se vendi duhet të përmbushë detyrimin, autoritetet në Shkup janë të bindura se nevojiten garanci se nuk do të ketë kushte të reja.
Ky ishte fjalimi i dytë vjetor i Presidentes Siljanovska para deputetëve që kur ajo mori detyrën pas zgjedhjeve në maj 2024.
Lidhur me gjyqësorin, ajo tha se si presidente ka detyrimin të mbrojë pavarësinë e tij. Sipas saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të ndikohen nga politika dhe njoftoi se do të propozonte kandidatë të mirë me reputacion profesional dhe njohuri për Këshillin Gjyqësor.
Në fjalimin vjetor morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ish-presidentë të shtetit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, përfaqësues të gjyqësorit, trupit diplomatik, bashkësive fetare dhe mysafirë të tjerë të lartë.
