Roja Bregdetare e SHBA-ve është në “ndjekje aktive” të një tjetër anijeje në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, teksa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.
Autoritetet amerikane kanë sekuestruar tashmë dy cisterna nafte vetëm këtë muaj, njërën prej tyre të shtunën.
Ndjekja e së dielës lidhet me një “anije të flotës së errët të sanksionuar, që është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”, tha një zyrtar amerikan, citon BBC. “Ajo po lundron nën një flamur të rremë dhe është nën urdhër gjyqësor sekuestrimi.”
Washingtoni e ka akuzuar Venezuelën se përdor paratë e naftës për të financuar krimin e lidhur me drogën, ndërsa Venezuela i ka përshkruar sekuestrimet e cisternave si “vjedhje dhe rrëmbim”.
Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar urdhëroi një “bllokadë” të cisternave të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Venezuela, shtëpia e rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë, ka akuzuar administratën Trump se po përpiqet të vjedhë burimet e saj.
Autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht ndjekjen e së dielës, dhe vendndodhja e saktë si dhe emri i cisternës së përfshirë nuk dihen ende.
Që nga java e kaluar, më shumë se 30 nga 80 anijet në ujërat venezueliane ose që po i afroheshin vendit ishin nën sanksione amerikane, sipas të dhënave të mbledhura nga TankerTrackers.com.
“Këto akte nuk do të mbeten të pandëshkuara,” tha qeveria venezueliane në përgjigje të incidentit të së shtunë, ku u sekuestrua një anije pranë brigjeve të Venezuelës . Ajo shtoi se synon të paraqesë një ankesë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe “agjenci të tjera multilaterale dhe qeveritë e botës”.
Venezuela varet shumë nga të ardhurat e eksportit të naftës për të financuar shpenzimet e qeverisë.
Në javët e fundit, SHBA -të kanë shtuar praninë e tyre ushtarake në Detin e Karaibeve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge venezueliane, duke vrarë rreth 100 persona.
Sanksione gjithashtu u vendosën ndaj disa të afërmve të presidentit Nicolás Maduro dhe ndaj bizneseve të lidhura me atë që SHBA-të e quanjnë regjimi i tij ilegjitim.