Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të zhvillojë mbledhjen, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit për zv/kryeministren e njëherësh deputeten Belinda Balluku.
Seanca pritej të niste në orën 10:30, ndërsa anëtarët e Këshillit do të diskutojnë kërkesën pa pasur në dispozicion të gjitha provat e Prokurorisë së Posaçme, pasi materialet konsiderohen sekret hetimor.
Gjatë seancës, zëvendëskryeministrja ka të drejtë të paraqitet personalisht ose të përfaqësohet nga avokat mbrojtës, për të dhënë shpjegimet e saj.
Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes, ka maksimumi 2 javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat 3-mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.
Një ditë më parë, 18 dhjetor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e “ndalimit të daljes jashtë vendit” për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me GJKKO-në. Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë.
Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderi për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar.
Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.
