Pesë persona janë arrestuar lidhur me vrasjen e Elson Kalaverit vitin e kaluar në Castelnuovo Val di Cecina.
Në pranga për ngjarjen janë vënë 3 italianë dhe dy shqiptarë mes të cilëve edhe porositësi i kësaj vrasje. Të arrestuarit akuzohen për vrasje me paramendim edhe për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim targash
Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Kanuni”, pasi sipas mediave italiane edhe vrasja ka ndodhur si pasojë e ‘KANUNIT’ (riti shqiptar për të marrë gjakun e të afërmve). Nga hetimet u zbulua se vrasja ishte porositur nga një shqiptar, vëllai i Gent Keçit, Shkëlzen Keçi. Për këtë ai pagoi një grup vrasësish, që në rastin konkret janë tre italianët. Ndërsa shqiptari tjetër i arrestuar ka dhënë informacion mbi vendndodhjen e Kalaverit.
Viktima, Elson Kalaveri 36-vjeç nga Thumana ishtë emër i njohur për autoritetet pasi kishte kishte procedim të hapur penal për shfrytëzim të prostitucionit. Kalaveri u arrestua në vitin 2014 për vrasjen e një fqinji.
Më 18 gusht 2022 ai u tërhoq në kurth në Sasso Pisano, në dalje të qytetit. Ai ishte brenda në makinë, në sediljen e pasagjerit, kur u qëllua me rreth 15 plumba. Shoferi i cili ishte bashkëpunëtor në vrasje, po ashtu shqiptar, nuk mbeti i lënduar por e çoi makinën drejt fshatit, duke e ndalur para picerisë së klubit, disa qindra metra më tutje, për të kërkuar ndihmë.
NGJARJA NË 2014
Në vitin 2014 Elson Kalaveri u konfliktua me Genti Keçin, fqinjin e tij. Ky i fundit e ndoqi për ta vrarë deri në komisariatin e Mamurrasit. Elson Kalaveri qëlloi me armë zjarri fqinjin e tij Genti Keçi brenda policisë së Mamurrasit. Kalaveri, nga Thumana, 27-vjeç atë kohë, ka qëlluar me plumb në kokë Gent Keçin, po nga Thumana, atëherë pronar i një lokali me muzikë ‘live’ në afërsi të Rinasit. Pas arrestimit në flagrancë, autori i krimit ka deklaruar se gjithçka e bëri për vetëmbrojtjeje.