Policisë së Kosovës i është akorduar sot një donacion me pajisje në vlerë prej rreth gjysmë milionë euro nga qeveria gjermane. Donacioni përmban pajisje profesionale për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sundimi i rendit dhe ligjit dhe luftimi i krimit e korrupsionit është fokusi primar i qeverisë.
Sveçla ka theksuar se donacioni i Gjermanisë do të ndihmojë në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
“Policia e Kosovës, në këtë rast edhe Policia, apo departamenti i kufirit, ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ambasadën gjermane në Prishtinë e posaçërisht me zyrën ndërlidhëse të Ambasadës gjermane me seli në Tiranë, e cila mbulon bashkëpunimin me Policinë Kufitare në Kosovë. Në korrik, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit të projektit skoup, për partneritetet e përbashkëta evropiane, mes Policisë federale gjermane dhe Policisë së Kosovës. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i informacioneve për migracionin e paligjshëm, lëvizje të paligjshme dhe të organizuara të njerëzve dhe falsifikimin e dokumenteve dhe aktivitetet që lidhen me emigrimin e paligjshëm”, u shpreh ministri.
Ndërsa ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka deklaruar se partneriteti mes Kosovës dhe Gjermanisë është i ngushtë në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Bashkëpunimi ynë në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe luftimit të migracionit ilegal është jashtëzakonisht i ngushtë dhe këto tema kanë qenë edhe tema, të cilat janë përmendur edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor këtë të martë që u mbajt. Dhe, edhe aty është theksuar që pikërisht fokusi ynë do të jetë në përforcimin e rendit ligjor dhe përforcimit e këtij bashkëpunimit në këto fusha”, është shprehur ai.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka deklaruar se ky donacion do të ndihmojë për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.