Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, në kuadër të një nisme që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Kjo nismë synon rikthimin e ligjshmërisë në territor dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve, përmes çlirimit të hapësirave të uzurpuara pa leje ndërtimi.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku po kryhej prishja e një godine të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
“Vijojmë kudo”, shkroi Rama, duke theksuar vendosmërinë e institucioneve për të vijuar aksionin në të gjithë vendin.
E nisur në muajin korrik, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si një ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet si për pushtetin vendor, ashtu edhe për atë qendror.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur edhe denoncimet e qytetarëve, të cilat realizohen përmes portalit të dedikuar “Hapësira ime publike”. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë raportuar 16 829 raste, nga të cilat 12 873 janë zgjidhur, ndërsa 3 956 raste janë ende në proces shqyrtimi.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që shkelin ligjin, me qëllim garantimin e një zhvillimi urban të rregullt dhe në funksion të interesit publik.
