Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e efektivit Edlir Alleshi, mbrëmjen e djeshme në Tiranë. •Autori, Klerent Bozhanaj 42-vjeç është shpallur në kërkim nga policia e cila ka publikuar disa foto të tij dhe ofron 20 mijë euro për këdo që jep informacion i cili do ndihmonte në kapjen e autorit. • Sakaq, efektivi i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën. •Mësohet se 42-vjeçari kishte disa muaj që ishte kthyer nga Italia ku ka qenë emigrant. Pasi plagosi efektivin ai është larguar menjëherë duke vënë në lëvizje forcat policore për ta kapur por më kot. •Ndërkohë Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një prononcim për gazetarët tha se Bozhanaj ishte i armatosur dhe dyshohet se ka shenja të theksuara depresioni. •Ngjarja ndodhi ditën e kaluar, në “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, ku gjatë ndjekjes, Bozhanaj i cili ishte i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë mbeti i plagosur me një plumb në bark efektivi i “Shqiponjave”. •Ai u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e Klered Bozhanjat, 42-vjeçarit që plagosi një ditë më parë efektivin e ‘Shqiponjave’. Shërbimet e Policisë bëjnë të ditur se deri më tani kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e autorit.
Policia thekson se çdo informacion për vendndodhjen e Bozhanajt, do të shpërblehet me shumën 20 000 euro.
NJOFTIMI I POLICISË:
Gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme, ka vijuar kërkimi intensiv për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili tentoi të vriste me armë zjarri punonjësin e Policisë. Shërbimet e Policisë kanë kontrolluar dhjetëra banesa në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Vlorë dhe do të vijojnë kontrollet intesive, deri në kapjen e tij.
DVP Tiranë falënderon qytetarët, për informacionet e dhëna deri tani, të cilat janë duke u verifikuar nga Policia. Policia kërkon vijimin e bashkëpunimit, duke ftuar qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm, që do të çojë në kapjen e tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.