Qëndrimi i Greqisë se nuk do të pranojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë nëse nuk ka përparim në çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës, mbetet akoma i njëjtë.
Burime për median greke ‘Kathimerini” theksuan se qëndrimi i Greqisë është i qartë dhe i është shpjeguar palës shqiptare. Greqia pranoi të dërgonte letrën e BE-së, në Tiranë për hapin e parë të nisjes së negociatave, me kusht që në fazën tjetër të procesit të ketë një lëvizje të qartë drejt rivendosjes së vullnetit politik të organit elektoral të Himarës. Në artikull shkruhet se pala greke nuk kërkon vendim gjyqësor dhe as nuk ndërhyn, por ajo që kërkon është që kryetarit të zgjedhur të Himarës t’i jepet leja të bëjë betimin dhe të mund të ushtrojë të drejtat e tij politike. Nuk është çështje pavarësie e gjyqësorit, por një vendim thjesht politiko-administrativ, theksuan të njëjtët agjentë diplomatikë grekë.
Sot Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së e cila përgatit çështjet e Samitit të 14 dhe 15 dhjetorit, ku përfshihet edhe zgjerimi i BE-së, do të diskutohet edhe për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mundësia e shkëputjes së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë nga ajo e Maqedonisë së Veriut mbetet ende e hapur.
Sipas draft-konkluzioneve të Samitit, liderët evropianë do të riafirmojnë angazhimin e tyre të plotë dhe të padiskutueshëm për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. dhe ata do të kërkojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të tyre. Sipas këtij plani, negociatat me Bosnje-Hercegovinën do të fillojnë pasi të përmbushen mjaftueshëm kriteret.
Kujtojmë se dje, kërkesa e Fredi Belerit për të marrë një leje të kufizuar me qëllim të betimit të tij si kryebashkiak i Himarës u rrëzua nga Gjykata Speciale e Tiranës.