Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji është emëruar drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan.
Lajmin e bëri të ditur vetë Gjergji në rrjetet sociale, ndërsa theksoi se “kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor”.
“Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke.
Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua”, u shpreh ajo.
Gjergji theksoi se Elbasani është vendi ku është rritur dhe ku ka ndërtuar identitetin e saj profesional.
“Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri. Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike”, u shpreh Gjergji.
Ndërsa falënderon për besimin, ajo siguron për angazhim çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor.