Njëzet vende evropiane i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të ofrojë më shumë mundësi për kthimin e afganëve pa leje qëndrimi në vendin e tyre.
Qeveria holandeze publikoi një letër drejtuar Komisionerit të BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, ku nënshkruesit shprehin shqetësimin se vitin e kaluar 22 870 afganë morën vendim për riatdhesim në BE, por vetëm 435 u kthyen realisht në Afganistan, i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e lëvizjes islamike talebane.
Vendet kërkojnë që çështja e kthimeve vullnetare dhe të detyruara drejt Afganistanit të trajtohet si një “përgjegjësi e përbashkët” në nivel të BE-së.
Ato gjithashtu kërkojnë të shqyrtohen më shumë mundësi për dëbime drejt Afganistanit. me përparësi për personat “që përbëjnë kërcënim për rendin publik ose sigurinë kombëtare”.
Letra u nënshkrua me nismën e Belgjikës nga Bullgaria, Qiproja, Estonia, Finlanda, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Austria, Polonia, Sllovakia, Suedia, Republika Çeke dhe Holanda.
Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së por bën pjesë në zonën Shengen dhe bashkëpunon me agjencinë e azilit të BE-së, e nënshkroi gjithashtu letrën.
Gjermania aktualisht po negocion me talebanët për dëbime drejt Afganistanit. Sipas ministrit të Brendshëm Alexander Dobrindt, bisedimet janë “në një fazë të avancuar”.
Kontaktet me talebanët janë të debatueshme, pasi qeveria gjermane nuk mban marrëdhënie diplomatike zyrtare me grupin, i cili u rikthye në pushtet në gusht të vitit 2021.
Talebanët mbeten të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shpërfilljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave. Që nga marrja e pushtetit nga talebanët, Gjermania ka realizuar dy dëbime të afganëve me ndihmën e Katarit.