Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me dhunë fizike dhe përdorim të armës.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, ku shtetasi me inicialet K. K., 37 vjeç, dyshohet se ka goditur me sende të forta dy persona të tjerë.
Pas ngjarjes është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i 37-vjeçarit, i cili dyshohet se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër me një armë me fishekë manovër.
“37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.”, vijon njoftimi i Policisë.
Fatmirësisht, dy të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanave që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.