Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës shënohet më 2 tetor, në nder të ditëlindjes së Mahatma Gandhit, liderit të lëvizjes për pavarësinë indiane dhe pionierit të filozofisë dhe strategjisë së jo-dhunës.
Sipas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kjo ditë është një rast për të “përhapur mesazhe kundër dhunës, duke përfshirë edukimin dhe ndërgjegjësimin publik”.
“Në këto kohë të rrezikshme dhe me ndasi, le të gjejmë forcën për të ndjekur drejtimin e Gandhit, për t’i dhënë fund vuajtjeve, për të çuar përpara diplomacinë, për të shëruar ndarjet dhe për të krijuar një botë të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore për të gjithë”, shkruan sot online, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Parimi i jo-dhunës, i njohur gjithashtu si rezistencë jo e dhunshme, refuzon përdorimin e dhunës fizike për të arritur ndryshime sociale ose politike. E përshkruar shpesh si “politika e njerëzve të zakonshëm”, kjo formë e luftës sociale është adoptuar nga popullata masive në të gjithë botën në fushatat për drejtësi sociale.
Mospërdorimi i dhunës nuk është një përpjekje për të shmangur ose injoruar konfliktin, por një përgjigje ndaj problemit se si të veprohet në mënyrë efektive në politikë, veçanërisht si të ushtrohen fuqitë në mënyrë efektive.
Që nga mesi i shekullit XX, kjo filozofi është adoptuar nga shumë lëvizje për ndryshime shoqërore.