Në vitin 2022, edhe më shumë fermerë kanë përfituar nga skemat mbështetëse me fondet nga buxheti, Fondi i Garancisë si dhe programi IPARD II.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur sot gjatë analizës vjetore të punës se në vitin 2022 është ofruar mbështetja më e madhe që është dhënë ndonjëherë për fermerët.
“Nga skema kombëtare në vlerën prej 5.1 miliardë lekësh kanë përfituar 48 734 fermerë, gati 2-fishi i fermerëve të mbështetur në 2021. Nga skema për mbështetjen përmes programit “naftë falas” në vlerën 1.95 miliardë lekë, janë përfitues 34 731 fermerë. Nga program IPARD II me vlerë 94 milionë euro janë kontraktuar 19.4 milionë euro, për 226 kontrata në total, ndërsa nga Fondi i Garancisë prej 180 milionë eurosh janë disbursuar 90 milionë euro, për 6250 përfitues dhe vetëm në 2022 janë disbursuar 20 milionë euro”, tha ministrja.
Krifca tha se programi IPARD III vjen me 56 % më shumë financim se sa programi IPARD II. Sipas saj, do të jetë sfidë përthithja e këtyre fondeve.
Njëkohësisht, ajo theksoi se janë rritur investimet për tregjet e reja publike. “Janë financuar 5 tregje të reja publike në bashkëpunim me bashkitë, në ato vende ku fermerët kanë vështirësi për të shitur produktet e tyre, pasi nuk kanë pasur tregje publike. Konkretisht në Farkë, Belsh, Bulqizë, Korçë dhe Zadrimë. Është përllogaritur që numri i përfituesve nga ky investim të shkojë 26 mijë“