Presidenti i Republikës Bajram Begaj, sapo ka mandatuar Edi Ramën për herë të katërt si kryeministër. Pas përfundimit të pjesës së parë të seancës plenare në Kuvendin e ri, Rama mbërriti në Presidencë vetëm pak momente më herët, për të kërkuar nga Begaj mandatimin e qeverisë së re ashtu siç e kërkon protokolli.
Fillimisht procedurat kërkuan që sekretari i Përgjithshëm i PS-së të dërgojë për mandatim emrin e kryeministrit, në këtë rast Edi Rama. Më pas është kryeministri që pasi mandatohet paraqet emrat e kabinetit të ri në Presidencë, gjë që Rama e ka bërë sot.
Më pas, pas seancës së votëbesimit në Parlament, në ditët e ardhshme do të zhvillohet ceremonia e betimit të kabinetit të ri qeveritar.
Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit u mblodh sot për herë të parë dhe u drejtua nga Vasil Llajo si deputeti më i vjetër që pranoi ta ushtronte si funksion, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan.
Sot me votat e mazhorancës u ngrit komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, që i hap rrugë pastaj betimit të deputetëve të rinj. Për këtë arsye, seanca u mbyll dhe pritet të vijojë në orën 17:00.
Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë, Partia Demokratike me 50. Partia Socialdemokrate do të ketë tre mandate, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.
Kuvendi do të drejtohet nga Niko Peleshi, emri i të cilit u publikua nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së mbajtur një ditë më parë nga Partia Socialiste. Në atë Asamble, kryeministri bëri me dije dhe emrat e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar. Ai emëroi plot 17 ministra dhe ministre, një prej të cilave ishte virtuale. Fjala është për Diellën, e cila do ketë drejtimin e Prokurimeve Publike. Kjo është gjithashtu ministria e parë virtuale në botë, detaj që ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.