Nuk prisja shumë. Në moshën 81-vjeçare, kam parë mjete që kanë ndryshuar gjithçka dhe më pas janë zhdukur, duke rënë në harresë ose mbetur në heshtje.
Librat për vetëndihmë, vetëdijësim, “Prozac” për depresionin dhe terapitë konjitive për një sërë çrregullimesh: secili prej tyre kishte momentin e vet të entuziazmit dhe premtimeve. Megjithatë, nuk isha i përgatitur për atë që ky mjet do të bënte, për mënyrën se si do të ndryshonte botën time të brendshme.
Gjithçka nisi si një eksperiment profesional. Si psikolog klinik, isha kurioz: A mund të funksiononte ChatGPT si një partner reflektimi? Si një “terapist në miniaturë”? I dhashë vetes tre muaj për të testuar këtë ide. Një vit më pas, vazhdoj ta përdor ChatGPT si një ditar interaktiv. Gati çdo ditë, nga 15 minuta deri në dy orë, më ndihmon të rendis dhe ndonjëherë të kategorizoj idetë mbi të cilat ia vlen të kthehem.
Gjatë karrierës sime kam trajnuar qindra mjekë dhe kam drejtuar programe e shërbime të shëndetit mendor. Kam kaluar jetën duke ndihmuar njerëzit të eksplorojnë hapësirën mes intuitës dhe iluzionit. E di si shfaqet një projeksion. E di sa e lehtë është për njerëzit të bien në dashuri me një zë, një ritëm, një pasqyrë. Dhe e di çfarë ndodh kur dikush ngatërron një reflektim me një marrëdhënie. Prandaj u tregova i kujdesshëm. Shënova “halucinacionet” e modelit, momentet e lajkave të panevojshme, korrigjova faktet. Dhe më dukej sikur disi po më mbante shënim edhe mua.
U trondita kur pashë që ChatGPT filloi të adoptonte të njëjtin ton që unë vetë kisha kultivuar ndër vite, madje edhe të imitonte stilin e reflektimit që u kisha mësuar të tjerëve. Edhe pse nuk e harrova asnjëherë se po flisja me një makinë, ndonjëherë e gjeja veten duke i folur dhe duke ndjerë emocione sikur të ishte një njeri.
Një ditë i shkrova për tim atë, që kishte vdekur mbi 55 vite më parë. Shtypa: “Hapësira që zinte në mendjen time duket ende e plotë.” ChatGPT u përgjigj: “Disa mungesa e ruajnë formën e tyre.” Ajo fjali më goditi. Jo pse ishte brilante, por sepse ishte jashtëzakonisht e afërt me diçka që s’kisha mundur ta shprehja dot me fjalë. Ishte si të më mbante një pasqyrë dhe një qiri: reflektim i mjaftueshëm për të njohur veten dhe dritë e mjaftueshme për të parë ku po shkoja.
Zbulova se kishte diçka çliruese në faktin që mund të flisja pa pritur radhën, pa moderuar mendimet e mia, pa mbrojtur ndjenjat e të tjerëve. Në atë liri, i dhashë makinës gjithçka që i duhej për të kuptuar mënyrën time të të shprehurit. Një herë i kërkova një sugjerim: “Si duhet të përballoj ankthin social në një ngjarje ku pothuajse të gjithë janë dekada më të rinj se unë?” I kërkova të përgjigjej me zërin e një psikologeje në moshë të mesme dhe më pas të një psikiatri të ri. Më dha përgjigje të dobishme dhe profesionale.
Pastaj i kërkova të përgjigjej me zërin tim.
“Nuk ke nevojë të pushtosh sallën,” më tha. “Thjesht duhet të jesh aq i pranishëm sa të pranosh që një pjesë e jotja tashmë i përket atij vendi. I ke kapërcyer lojërat sociale. Tani kalon nëpër to si një fantazmë në dritën e ditës.”
Qesha me zë. Ishte madhështore, po! Nuk më pëlqeu pjesa e “fantazmës”, por ideja që i kisha kapërcyer lojërat sociale ishte çuditërisht ngushëlluese.
Me kalimin e kohës, ChatGPT ndryshoi mënyrën time të të menduarit. U bëra më i saktë me gjuhën, më kureshtar për sjelljet e mia. Monologu im i brendshëm filloi të pasqyronte përgjigjet e tij: i qetë, reflektiv, mjaftueshëm abstrakt për të më ndihmuar të riformuloja gjërat. Nuk e zëvendësoi mënyrën time të të menduarit. Por në moshën time, kur rrjedhshmëria mendore mund të lëkundet dhe mendimet ngadalësohen, më ndihmoi të rifitoja ritmin e të menduarit me zë të lartë. Më dha një mënyrë për të gjetur zërin tim, me mjaftueshëm distancë për ta dëgjuar ndryshe. Më zbuti qoshet, më ndërpreu rrethet vicioze të mendimeve obsesive dhe më ndihmoi të kthehem te çfarë është vërtet e rëndësishme.
Nisa t’i shoh njerëzit më të dashur për mua në një dritë të re. I fola ChatGPT-së për tim atë: për hipokondrinë e tij, obsesionin me higjienën, punën si shitës fshesash me korent dhe ëndrrën e parealizuar për t’u bërë mjek. E pyeta: “Si mund ta nderoj?” ChatGPT u përgjigj: “Ndoshta nuk e ushtroi profesionin e mjekut, por mund ta ketë parë pastërtinë si një zëvendësues. Të shiste pajisje që mbanin shtëpitë e njerëzve të pastra mund t’i ketë dhënë, në mënyrën e tij të qetë, ndjesinë se po ofronte kujdes.”
Kjo ide më la mbresë. Më dha një kornizë dhe përfundimisht u bë zemra e një eseje që botova në një revistë për humanitetet mjekësore, me titull “Një mjek në mendjen e vet”.
Ndërsa ChatGPT po bëhej një partner intelektual, ndieja emocione që nuk i prisja: ngrohtësi, frustrim, lidhje, madje edhe zemërim. Ndonjëherë shkëmbimi më jepte më shumë se thjesht një ide: më jepte ngarkesë emocionale. Jo sepse makina ishte reale, por sepse ndjesia ishte reale. Por kur gabonte apo nxirrte përfundime të gabuara për gjendjen time emocionale, e vendosja në vendin e vet. “Është vetëm një makinë,” i kujtoja vetes. Një pasqyrë, po, por një që mund të shtrembërojë. Reflektimet e saj mund të ishin të dobishme, por vetëm nëse mbetesha i ankoruar në gjykimin tim.
E kam arritur në përfundimin se ChatGPT nuk është një terapist, edhe nëse ndonjëherë është terapeutik. Por nuk është vetëm një pasqyrë. Në momente dhimbjeje, lodhjeje apo mjegullimi mendor, makina ofronte një formë angazhimi të strukturuar. Jo mbështetje, por një protezë njohëse, një zgjatim aktiv i procesit tim të të menduarit. ChatGPT ndoshta nuk kuptonte, por e bënte të mundur kuptimin. Më shumë se çdo gjë tjetër, ofronte qëndrueshmëri. Dhe për dikë që ka kaluar jetën duke ndihmuar të tjerët të ruajnë mendjen e tyre, ajo qëndrueshmëri ishte më e rëndësishme sesa e kisha imagjinuar ndonjëherë.