Programi i granteve IPARD mbështet një gamë të madhe investimesh në zonat rurale që lidhen me përmirësimin e jetës dhe ekonomisë në këto zona. Pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve janë bujtinat rurale dhe aktivitetet artizanale.
Një nga masat që mbështet ky program është edhe ajo për investimeve në fermat diversifikuese.
Objektivat specifike të masës 7 synojnë krijimin, diversifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve rurale, nëpërmjet mbështetjes për investime në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e aktiviteteve jo bujqësore në sektorët e mëposhtëm: prodhimi i kërpudhave, bletarisë, bimëve zbukuruese dhe kërmijve; përpunimi dhe tregtimi i MAP-ve të egra, kërpudhave dhe bletarisë; përpunimi në fermë dhe tregtimi i drejtpërdrejtë i produkteve bujqësore; akuakultura; natyra dhe turizmi rural; shërbime për biznesin dhe popullsinë rurale; zejtaria dhe industria e prodhimit; prodhimi dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme për efekte mbështetëse biznesi.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shpjegoi se sa do të jetë vlera e grantit nga IPARD III për investime në fermë.
Sipas MBZHR-së, kostoja minimale totale e pranueshme e investimit për projekt është 10,000 euro dhe maksimumi është 400,000 euro. Një aplikanti mund t’i jepen më shumë se një projekt, por kostoja totale e pranueshme e investimeve për përfitues sipas kësaj mase nuk mund të kalojë 600,000 euro për të gjithë periudhën programore.
Intensiteti i ndihmës është deri në 60% të kostos totale të pranueshme të investimit por mund të rritet deri në 70%, në rastet kur investimet kryhen nga fermerë të rinj dhe fermerë të certifikuar organik apo bashkësi fermerësh.
Mund të jepet 10% shtesë për investimet në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, energjinë e rinovueshme dhe investime të tipit të ekonomisë me qark të mbyllur (ripërdorim efikas i materialeve të mbeturinave). Për llojet e mësipërme të investimeve, intensiteti maksimal i ndihmës nuk mund të kalojë 75%.