Pas protestës së 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuesit do të zhvendosen në Hagë, para Gjykatës Speciale, më 14 shtator.
Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Kjo protestë do të organizohet nga mërgata shqiptare, ndërsa mbështetet edhe nga veteranët e dalë nga lufta e UÇK-së.
Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave dhe synon të ketë dëshmitarë të rangut të zonjës Albright, ish-shefe e Departamentit të Shtetit në kohën e luftës.
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, të katër të akuzuarit Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në dy vite, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
Më 16 prill u përmbyll paraqitja e provave të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.