Një debat i nisur për një vend parkimi ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit në Hamallaj të Durrësit, ku i plagosur rëndë ka mbetur një i ri 28-vjeçar. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe është vënë në ndjekje të tij, ndërsa i lënduari ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Një ngjarje e rëndë u shënua këtë pasdite në zonën e Hamallajt, ku një konflikt i çastit për një vend parkimi përfundoi në dhunë të armatosur. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40, kur shtetasi A. L., 44 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me pistoletë mbi L. R., 28 vjeç, duke e lënë të plagosur rëndë.
I riu është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në gjendje kritike për jetën. Një nga plumbat e ka kapur në shpatull, duke shkaktuar dëmtime serioze.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori është me origjinë nga Mirdita, ndërsa i plagosuri nga Kukësi.
Të dy jetonin prej kohësh në njësinë administrative Sukth.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, duke kryer rrethimin e zonës dhe duke identifikuar autorin e dyshuar, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Kontrollet po vijojnë në zonë dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari. Grupi hetimor po punon për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij konflikti, që nisi për një motiv të dobët, por që mund të kishte përfunduar në tragjedi.