Yield-i bonove 12-mujore të thesarit ka arritur një nivel të ri minimal për tre vitet e fundit.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e muajit gusht, yield-i mesatar i ponderuar nga zbritur në 2.62%, niveli më i ulët që prej qershorit të vitit 2022.
Kjo periudhë përkon me goditjen e fortë inflacioniste që erdhi nga vështirësitë në zinxhirin e ofertës së mallrave dhe nga shpërthimi i luftës në Ukrainë. Në atë periudhë, bankat qendrore nisën një cikël të rritjes së shpejtë të normave të interesit, që çoi rrjedhimisht edhe në një rritje të shpejtë të yield-eve të instrumenteve financiarë.
Tashmë, normat e interesit në tregun financiar kanë zbritur afërsisht në nivelet e fillimit të ciklit rritës të normës bazë. Por, ndryshimi është se marzhi mbi normën bazë të interesit aktualisht është më i ulët dhe pranë niveleve minimale historike. Në qershor 2025, norma bazë ishte ende në nivelin 1%, ndërsa bonot 12-mujore shënonin një yield prej 2.5%.
Ndërkohë sot që norma bazë është në nivelin 2.5%, bonot 12-mujore u emetuan me një yield 2.62%. Bonot 6-mujore dhe 3-mujore ndodhen madje poshtë nivelit të normës bazë. Madje, edhe bonot 12-mujore patën zbritur poshtë nivelit të normës bazë në gjysmën e parë të këtij viti.
Tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë karakterizohet nga një likuiditet i lartë dhe kërkesë e kënaqshme. Në ankandin e fundit të bonove 12-mujore, shuma totale e kërkuar arriti në gati 8.5 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur për financim në vlerën e 6.8 miliardë lekëve. Ministria e Financave vendosi ta rrisë lehtë shumën e emetimit në 6.93 miliardë lekë, duke kompensuar pjesërisht shuma të paplotësuara nga ankande të mëparshme të instrumenteve të tjera.
Tregu i instrumenteve afatshkurtra vazhdon të karakterizohet nga yield-e shumë të ulëta, për shkak të kërkesës së lartë të investitorëve (kryesisht banka) nga njëra anë dhe një tendencë në ulje të huamarrjes së brendshme të qeverisë, nga ana tjetër.
Ndërkohë, për instrumentet më afatgjata yield-et duket se janë në një fazë korrektimi të lehtë në rritje, pasi patën prekur nivelet më të ulëta historike gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rënia e ndjeshme e yield-eve duket se e ka zbehur disi interesin në segmente të veçanta të investitorëve, duke përfshirë ata jorezidentë dhe individët.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e dytë të vitit, pothuajse e gjithë shtesa e huamarrjes u përballua nga bankat, ndërsa portofoli i titujve i zotëruar nga individët dhe jorezidentët nuk pati ndryshime.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo sjellje reflektoi hezitimin e këtyre aktorëve të tregut për të shtuar pjesëmarrjen në ankandet e zhvilluara, si pasojë e normave të ulëta të interesit, kombinuar edhe me strukturën që pati shtesa e huamarrjes në këtë periudhë (kryesisht obligacione referencë)