Një 14-vjeçar ka humbur jetën pasditen e kësaj të enjte në fshatin Pirg të Maliqit, pasi është goditur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një zënke mes tyre.
Ngjarja është regjistruar në ambientet e jashtme të një lokali. Autori ka qenë në shoqërinë e katër personave të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa viktima me dy të tjerë.
Siç raportohet të dy 14-vjeçarët janë nga fshatra pranë Pirgut. Ngjarja duket se ka pasur një konflikt të mëparshëm, dhe ata janë takuar në lokal për të sqaruar mosmarrëveshjen.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa autori i dyshuar ndodhet në spital.
“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër, autori i dyshuar i ngjarjes, është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, thuhet në njoftimin zyrtar të uniformave blu.
Mësohet se në komisariat janë shoqëruar gjashtë të mitur, që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.